FBI i ka dhënë një goditje të fortë mafias në Nju-Jork dhe Nju Xhersi, pasi ka arrestuar të gjithë figurat kryesore të familjes Colombo, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, pastrimit të parave, infiltrimit përmes kërcënimit në sindikata, zhvatje, etj.
Prokuroria bëri të ditur se në pranga përfundoi Andrew Russo, 87 vjeç, i cili besohet se është kreu i familjes Colombo. Gjithashtu, autoritetet arrestuan zëvendësin e tij, 83-vjeçarin Benjamin Castellazzo, si dhe 7 anëtarë të tjerë të familjes.
Prokurorët thanë se akuza ishin ngritur edhe ndaj këshilltarit të Russo-s, 66-vjeçarit Ralph DiMatteo, por ai mbetet në arrati.
Mes të arrestuarve ishte edhe “kapo” 75-vjeçar Vincent Ricciardo, i cili thotë në një përgjim të policisë se ishte i gatshëm të vriste kreun e një sindikate, nëse nuk luante sipas rregullave të tyre. “Do ta fus në dhe, përpara gruas dhe fëmijëve, para shtëpisë së tij”, citohet të ketë thënë Ricciardo në dokumentet e publikuara nga autoritetet amerikane. Prokurorët thanë se synimi i familjes Colombo ishte që sindikata të merrte vendime që do t’i sillnin përfitime familjes.
“Gjithçka që kemi dokumentuar në këtë hetim tregon se historia përsërit veten”, tha prokurorja Jacquelyn Kasulis në një deklaratë për mediat. “Familjet kriminale të Nju-Jorkut janë “shëndoshë e mirë”. Këta bosë, këshilltarë e ushtarë, me sa duket nuk e njohin historinë, dhe duket se nuk e kuptojnë që do t’i kapim”.
Familja mafioze Colombo është një prej organizatave kriminale kryesore të Nju-Jorkut, me një aktivitet të dokumentuar prej vitit 1950. Pavarësisht luhatjeve të ndryshme përgjatë viteve, hetimi i FBI tregoi se ajo vijon të jetë aktive në Shtetet e Bashkuara.