33 persona janë vënë në pranga në Spanjë, ku shumica e të arrestuarve janë shqiptarë. Mediat vendase raportojnë se autoritetet në kuadër të operacionit ‘Albacos’, ka shkatërruar një organizatë kriminale, e cila kultivonte dhe trafikonte marijuanë.
Mësohet se shumica e të arrestuarve janë shqiptarë dhe droga që prodhohej prej tyre trafikohej në Spanjë, Belgjikë e Gjermani. Shqiptarët kishin dhe rolin drejtues të grupit, ndërsa me shpërndarjen merreshin spanjollët, kolumbianët, italianët dhe gjermanët.
Mes të arrestuarve ka dhe gra, të cilat kishin si detyrë ndërtimin e infrastrukturës, ku kishin siguruar banesa dhe mjete me qira. Për të mos rënë në sy grupi kriminal kishte krijuar dhe një kompani për makina me qira.
Sipas policisë grupi ishte shumë i sofistikuar pasi drogën e kishte kultivuar në pyll, ku kishte krijuar hapësira mes pemëve duke prerë degët që të depërtonte dielli, por sërish nga sipër të mos shihej gjë.
Në total policia arriti që të sekuestronte 20 mijë bimëve narkotike të llojit marijuanë, bimë gati për mbjellje, 7 automjete, një varkë, armë, dokumente, makineri të ndryshme me vlerë mbi 300 mijë Euro.