Autoritetet italiane kanë shkatërruar një organizatë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike. Në pranga kanë rënë 32 persona, mes të cilëve edhe shqiptarë.
Gjatë aksionit të zhvilluar në segmentin Bergamo-Breschia, u sekuestruan 152 kg drogë. Nga këto 24 kg kokainë, 83 kg hashash dhe mbi 50 kg marijuanë. Sipas mediave italiane, lënda narkotike dërgohej në Itali nga Shqipëria, Spanja dhe Holanda.
Nëse kjo sasi do të ishte hedhur në treg, fitimet përllogariteshin në rreth 6 milionë Euro. Hetimi për këtë grup kriminal nisi në vitin 2017 për dy vëllezër shqiptarë që jetonin në Reggio Emilia, të cilët ishin nën përgjim telefonik. Nuk ka informacione të tjera për këtë operacion të policisë italiane, e cila pritet që të japë detaje orët në vijim.