Operacioni ‘La Pampa’ ka vendosur në pranga 31 persona dhe ka shkatërruar një linjë të trafikut të kokainës nga Ekuadori në vendet e Bashkimit Europian. Më 6 shkurt, një hetim i udhëhequr nga Spanja që përfshinte Ekuadorin dhe i mbështetur edhe nga Europol e autoritetet shqiptare, rezultoi në një goditje të madhe në një rrjet të trafikut të drogës me rrezik të lartë që furnizonte kokainë në BE. Për të mbështetur aktivitetet në terren në ditën e aksionit, Europol dërgoi dy ekspertë në Marbella, Spanjë dhe Quito, Ekuador. Po ashtu, financoi gjithashtu vendosjen e dy hetuesve spanjollë në Ekuador për të mundësuar koordinim të mëtejshëm midis autoriteteve kombëtare në terren në Ekuador dhe Spanjë.
Aksioni i përbashkët solli 31 arrestime (13 në Spanjë dhe 18 në Ekuador, por emrat e të arrestuarve nuk bëhen me dije); mes të arrestuarve raportohet se ka dy “koka” të grupeve kriminale dhe janë konfiskuar 25 automjete, 10 armë zjarri, pajisje elektronike të vlerësuara në rreth 13 milionë euro dhe gati 3 milionë euro cash në valuta të ndryshme. Nuk kishin si të mungonin as pronat e blera nga anëtarët e bandave kriminale, vlera e të cilave kap vlerën e rreth 48 milionë euro (12 milionë euro në Spanjë dhe 36 euro në Ekuador).
I gjithë aksioni është dokumentuar nga Europol, në një video që zgjat plot 10 minuta dhe jep sekuenca të ndryshme të aksionit në të gjitha vendet ku është shtrirë.
Hetimet
Autoritetet ligjzbatuese nisën një hetim për një biznesmen italian me origjinë argjentinase me banim në Marbella. Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se këto kompani përdoreshin për fshehjen e aktiviteteve kriminale dhe transaksioneve financiare. Kur u rrëmua pak më thellë, autoritetet identifikuan lidhjen kriminale të biznesmenit me një shtetas shqiptar me banim në Ekuador. Ky shqiptar, i paidentifikuar me emër akuzohet se orkestroi importimin e kokainës nga Kolumbia në Ekuador dhe shpërndarjen e saj më pas në BE. Biznesmeni shqiptar kishte një marrëveshje kontraktuale me furnitorët kolumbianë për të marrë 4 ton kokainë çdo muaj në Ekuador.
Ai kishte ngritur një kompani frutash për të importuar kokainë në BE, duke përdorur metoda të ndryshme transporti. Shpesh, sasi më të vogla kokaine fshiheshin brenda dërgesave me banane, që varionin nga 15 deri në 40 kg. Pavarësisht se ishin kapur sasi të ndryshme, kompania mohonte vazhdimisht çdo përfshirje në aktivitetet e trafikimit.
Gjatë hetimit, autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Holandë dhe Turqi sekuestruan disa ngarkesa të konsiderueshme kokaine në total 3.2 ton.
Ortaku i shqiptarit gjithashtu luajti një rol kryesor në pastrimin e aseteve kriminale nëpërmjet investimit në biznese të ligjshme në Spanjë, duke marrë në menaxhim disa kompani, mes tyre edhe një që ka lidhje me prodhimin dhe importimin e bananeve nga Ekuadori në BE, por krijoi edhe qendra sportive në Marbella, qendra tregtare në Granada dhe bare dhe restorante të shumta. Shumë nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë kishin lidhje të forta me Ballkanin Perëndimor dhe menaxhonin rrjetin e shpërndarjes, i cili ishte i përhapur në të gjithë Evropën.
Operacioni kishte në shënjestër dy drejtuesit e këtij rrjeti kriminal që tashmë kanë përfunduar në pranga.