Europol ka njoftuar të hënën se ka asgjësuar një super kartel droge përmes një operacioni gjatë të cilit disa dhjetëra persona u arrestuan në Europë dhe Emirate.
Operacioni pan-europian përfshiu gjithashtu agjenci ligjzbatuese nga Dubai dhe kishte në fokus shkatërrimin e zinxhirit të komandës dhe logjistikës së infrastrukturës së trafikantëve, që vepronte në Francë, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.
Në 4 vendet në fjalë u kryen 43 arrestime, ndërsa 6 persona të tjerë ranë në pranga në Dubai. Europol i konsideron të arrestuarit si “persona të rëndësishëm” të narkotrafikut.
Në faza të ndryshme të operacionit, i koduar me emrin “Drita e Shkretëtirës”, raportohet se janë sekuestruar mbi 30 tonë kokainë.
Autoritetet policore nuk bëjnë të ditur kombësinë e të arrestuarve, por saktësojnë se organizata përmbushte një të tretën e tregut të kokainës në Europë.
Aksioni i forcave ligjzbatuese u kurorëzua pas një marrëveshjeje të arritur në shtator për intensifikimin e bashkëpunimit mes Europol dhe autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe.