Policia e Tiranës ka arrestuar ish-futbollistin e Kombëtares, Klodian Duro, për shkelje të urdhrit të mbrojtjes dhe dhunim të ish-bashkëshortes.
Mësohet se 43-vjeçari u denoncua nga ish-bashkëshortja, e cila kërkoi ndihmën e policisë që të ndërhynte.
Duro ishte divorcuar me partneren dhe kjo e fundit kishte marrë një urdhër mbrojtje së fundmi.
Në 24 mars, ish-futbollisti i Kombëtares, ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes, duke e kanosur këtë të fundit.
Kjo e fundit ka lajmëruar policinë dhe ka firmosur edhe kallëzimin ndaj tij.
Duro pritet të dalë para gjykatës të shtunën për masën e sigurisë.
Njoftimi i policisë
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr.2 është arrestuar në flagrancë shtetasi;
K.D., 43 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, duke thyer urdhrin e mbrojtjes e marrë nga ish-bashkëshortja e këtij shtetasi, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj si edhe e ka përndjekur në mënyrë të vazhdueshme.
Materialet proceduriale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprat penale “Dhuna në familje”, “Përndjekja” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimet e gjykatës”.