Sport Shkelma dhe goditje me bërryla, por jo gola. Barazimi me Brazilin kualifikon...

Shkelma dhe goditje me bërryla, por jo gola. Barazimi me Brazilin kualifikon Argjentinën

Argjentina është matematikisht e kualifikuar për në Botërorin e 2022-shit. Sfida me Brazilin, e luajtur në San Juan, përfundoi në barazim 0-0 dhe argjentinasve u mjaftoi një pikë për biletën drejt Katarit, pas hapave të gabuar të rivalëve direkt. Uruguai u mund 3-0 në Bolivi, Kili humbi në shtëpi 0-2 ndaj Ekuadorit, kurse Kolumbia nuk shkoi më shumë se 0-0 ndaj Paraguajit.

Mision i përmbushur për Argjentinën, me ndonjë ndihmë nga jashtë. Gjithsesi, 4 ndeshje para fundit të eliminatoreve, skuadra e Scalonit ka festuar kualifikimin për në finalet e Botërorit. Në kryendeshjen me Brazilin e kualifikuar nuk pati gola, por më shumë shkelma dhe nerva.

Ishte një ndeshje shumë e luftuar, siç ndodh zakonisht mes dy rivalëve të përjetshëm, me pak raste për gol. Në pjesën e parë të vetmin rast e kishte De Paul, i cili provoi me një gjuajtje në hyrje të zonës, por u ndal nga Alisson. Në pjesën e dytë ishte Emiliano Martinez që iu përgjigj mirë Kunjës, i cili zëvendësoi Neymarin në këtë ndeshje.

Rezultati nuk ndryshoi dhe me këtë barazim Argjentina u ngjit në kuotën e 29 pikëve, 12 më shumë se Kolumbia dhe Peruja. Fituesit e Kupës së Amerikës sigurojnë kështu pjesëmarrjen në Botëror, i pesti në karrierë për Lionel Messin, që qëndroi në fushë gjithë ndeshjen dhe rrezikoi vetëm dy herë. Për yllin argjentinas, prezenca në Katar do të shënojë edhe Botërorin e pestë në karrierë, që ndoshta do të jetë shansi i fundit për të fituar trofeun e vetëm që i mungon.

Tite dhe Scaloni mbeten të pathyeshëm, në pritje të verdiktit të ndeshjes së parë, që u ndërpre pak minuta pasi filloi.

Tite shpërthen pas barazimit me Argjentinën

Trajneri i Brazilit, Tite, ka qenë i zemëruar pas barazimit pa gola të regjistruar kundër Argjentinës. Zemërimi i tij është shkaktuar nga një përplasje mes mbrojtësit argjentinas Otamendi dhe sulmuesit brazilian Raphinha.

Mbrojtësi i bardhekaltërve ka goditur me bërryl yllin e Leeds, me këtë të fundit që ka patur nevojë për pesë qepje për të mbyllur plagën në gojë. “Kjo është e pamundur, e përsëris, nuk është e mundur të mos shihet goditja me bërryl e Otamendi-t ndaj Raphinha-s. A do të kishte ndikuar te rezultati? Nuk e di”, ka thënë Tite. “Ishte një ndeshje e madhe, por duhet të ketë drejtësi. Nuk është i pranueshëm një gabim i tillë nga një arbitër i nivelit të lartë me VAR…”.