Sport Shkëmbi: Dinamo është ribërë, në derbi luajmë për të fituar

Shkëmbi: Dinamo është ribërë, në derbi luajmë për të fituar

Derbi është një ndeshje që krijon nostalgji sidomos për një si Bledi Shkëmbi që në të shkuarën ka qenë futbollist i Partizanit dhe tashmë do i sfidojë të kuqtë si trajner i Dinamos. Pas një fitoreje dhe dy barazimeve në 3 ndeshjet e para, presioni rritet për Dinamon aq më tepër që Shkëmbit i është dashur t’u shpjegojë futbollistëve të huaj që ka në skuadër rëndësinë e kësaj sfide.

“Jemi munduar që ekipi të qetësohet, të mos kemi presion, sikurse jemi munduar t’ua shprehim të huajve rëndësinë e derbit. Të tjerët e ndjejnë, pasi e njohin derbin. Është një ndeshje e veçantë deri në këto momente”.

Por a do të jetë derbi ndaj Partizanit prova e së vërtetës për Dinamon?

“Dinamo është ribërë dhe kemi guxuar, duke luajtur për të fituar. Analizat bëhen pas ndeshjeve, ne e dimë çfarë ndodh. Nuk e bëjnë dot të tjerët më mirë analizën. Kemi marrë dy barazime, por mund të merrnim diçka më shumë. Jemi të kënaqur. Do mundohemi të fitojmë, pa harruar se luajmë ndaj një ekipi të fortë si Partizani. Janë dy ekipe të denja për ta fituar ndeshjen. Për Dinamon do jetë çdo ndeshje barometër, deri kur të vijë ajo që duam. Jemi në rrugë të mbarë dhe jam i bindur që e ardhmja e Dinamos do të jetë e mirë”.

Shkëmbi analizoi edhe kundërshtarin duke vlerësuar maksimalisht Partizanin e Ilir Dajës.

“Partizani është rival i fortë, luajnë me ritëm në të dyja fazat. Nuk ka një ekip që bën diferencën. Do jetë kampionati i vetëm që javë pas jave nuk do mundësh të marrësh frymë lehtësisht, pasi do jetë e vështirë çdo ndeshje. Formacioni? Do shikojmë stërvitjen për të vendosur për formacionin. Kemi dy lojtarë me probleme fizike dhe më pas do të vendosim si do të rreshtohem”.