Shkëmbi në gadishullin e Karaburunit, ku Eva Buzo përfundoi maratonën e saj me not nga brigjet e Leçes në Itali drejt Vlorës, do të marrë emrin Shkëmbi i Evës.
Këtë fakt e njoftoi kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha gjatë një pritjeje që bëri në zyrën e tij.
“Pa hequr asnjë moment të asaj që ka arritur Eva duke vendosur një rekord absolut ka qenë një maratonë e bërë prej saj. Jemi krenar që kemi qenë pjesë e këtij rrugëtimi me suportin që kemi dhënë si bashki dhe dashamirësit që i janë bashkuar. Ajo ka vendosur në hartën e Shqipërisë një moment të veçantë, aty ku ka prekur në Karaburun te shkëmbi kur ka mbaruar këtë maratonë të gjatë ta quajmë “Shkëmbi i Evës” për të pasur një memorie të fortë për atë që ka arritur Eva”, tha Dredha.
Ndërsa vetë Eva u shpreh se ndihet e emocionuar dhe falenderuese për mbështetjen dhe vlerësimet që ka marrë nga i gjithë populli shqiptar.
“Sot dua të flas me zërin e gjithë vajzave që merren me sport. Kam kujtime të fëmijërisë kur gjyshi im vinte në çdo aktivitet sportiv, ku unë merrja pjesë dhe plot krenari i tregoja medaljet që merrja që fëmijë. Pikërisht këto medalje më rritën kofidencën, jo vetëm në fushën e sportit, por dhe atë profesionale. Arritjet e mia sot janë rezultat i punës së madhe që kam bërë që në moshë të herët me veten. Sot jam një femër e fortë, që pëlqej sfidat dhe u them të gjithë femrave ‘forconi konfidencën, rrisni besimin dhe pranoni sfidat’”, u shpreh Buzo.
Distanca e përshkuar me not nga Eva Buzo ishte 92 kilometra dhe notimi zgjati prej me shumë se 35 orësh.