Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Janar 2020
“Le Matin” ka botuar, të mërkurën e 18 shkurtit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me shkëmbimet Esat Pashë Toptanit me mbretëreshën e Italisë (Jelena Petrović-Njegoš) në ballon e oborrit mbretëror, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Dialog midis Mbretëreshës së Italisë dhe Esat Pashës
Romë, 17 Shkurt. Shkresë speciale e “Le Matin”.
Esat Pasha dhe anëtarët e delegacionit shqiptar u larguan nga Roma këtë mbrëmje në orën njëmbëdhjetë; ata do të shkojnë direkt në Neuwied, përmes Këlnit. Koha e qëndrimit të tyre këtu shpjegohet nga nevoja që shumica e anëtarëve të delegacionit të krijojnë një gardërobë perëndimore dhe t’i sigurojnë vetes rrobat ceremoniale të nevojshme për realizimin e misionit të tyre në Romë, duke patur parasysh se në Durrës nuk mungon vetëm strehimi, por edhe rrobaqepësit.
Kjo vonesë i mundësoi mbrojtësit të famshëm të Shkodrës që të merrte pjesë mbrëmë në ballon e oborrit mbretëror. Gjenerali Esat Toptani, i njohur më mirë me emrin e tij turk të Esat Pashait, ishte me rroba civile.
Mbretëresha, raporton “Italia”, iu drejtua atij me komplimentin që mund ta prekte më së shumti, duke ardhur nga vajza e kundërshtarit të tij të një viti më parë.
“Jam e lumtur, gjeneral, të përgëzoj mbrojtësin heroik të Shkodrës.”
Esat Pasha u përul dhe iu përgjigj me të njëjtën monedhë:
“Ne thjesht kemi bërë çmos që të mos jemi kundërshtarë shumë të padenjë përballë babait të lavdishëm të Madhërisë Suaj dhe ushtarëve të tij trima.”
Meqë mbretëresha pati delikatesën t’i adresojë komplimentin e saj Esat Pashës në gjuhën shqipe, gjenerali shqiptar iu përgjigj asaj në gjuhën serbe. Thuhej se Esat Pasha dinte vetëm shqip dhe turqisht. Ai vërtetoi të kundërtën.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania