Bota Shkencëtarët po zhvillojnë testime ADN-je për të zbuluar origjinën e vërtetë të...

Shkencëtarët po zhvillojnë testime ADN-je për të zbuluar origjinën e vërtetë të Kristofor Kolombit

Kristofor Kolombi bëri të mundur që evropianët të zbulonin Amerikën, mirëpo origjina e eksploruesit mbetet ende një mister.

Megjithatë, falë përparimeve më të fundit në teknologjinë gjenetike, shkencëtarët shpresojnë të hedhin më shumë dritë mbi prejardhjen e Kristofor Kolombit.

Universiteti i Granadës po kryen testime ADN-je në eshtrat e Kolombit, për të kuptuar nëse ai ka lindur në Gjenevë, siç mendojnë shumica e historianëve, ose, nëse ka origjine spanjolle, portugeze, kroate apo polake, siç besojnë disa shkencëtarë të tjerë.

José Antonio Lorente, profesor i mjekësisë ligjore në Universitetin e Granadës, i cili është një nga shkencëtarët që po udhëheq projektin, tha për Euronews se megjithëse teoria e origjinës nga Gjeneva është ajo që preferohet më shumë nga historianët, tezat e tjera nuk mund të përjashtohen.

“Është e qartë se ka disa teori të tjera, disa prej tyre shumë të qëndrueshme, me arsyetime shumë logjike dhe shumë të dhëna, ajo që ne përpiqemi të bëjmë është të ofrojmë të dhëna shkencore që mund të interpretohen nga historianët,” u shpreh ai.

Krahasimet gjenetike me disa individë të tjerë identiteti i të cilëve është bërë i ditur, do të përcaktojnë nëse midis Kristofor Kolombit dhe ndonjërit prej tyre ka lidhje familjare.

“Ne vetëm sa kemi filluar, do të ketë përparim të madh në 10-15 vitet e ardhshme”, shtoi profesor Lorente.