Shkencëtarët në Suedi kanë zhvilluar një metodë për të pikasur dhe vrarë mushkonjat që transmetojnë sëmundje vdekjeprurëse.
Sipas tyre kjo është një mënyrë e mirë për të kontrolluar insektet pa ndikuar negativisht në ekosisteme të tëra siç ndodh kur përdoren pesticide masive.
Çelësi i këtij procesi është një “gjak” sintetik i krijuar nga një molekulë në parazitin e malaries, lëngun e panxharit dhe toksinat për të vrarë insektin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat vrasin mbi 700 mijë njerëz çdo vit, ku më shumë se gjysma e vdekjeve është e shkaktuar nga malaria e bartur në mushkonjat Anopheline.
Sipas Dr Lech Ignatowicz, CEO i “Molecular Attraction”, përdorimi i gjerë i pesticideve për të kontrolluar mushkonjat dëmton biodiversitetin duke vrarë të gjitha format e insekteve dhe jetës, në vend që të vrasë drejtpërdrejt mushkonjat që transmetojnë sëmundjet vdekjeprurëse te njerëzit.
Duke përzier molekulën nga paraziti i malaries me lëngun e panxharit dhe toksinat, ata pretendojnë se kanë prodhuar një pesticid të lirë, alternativ që synon vetëm mushkonjat.