Bota Shkencëtarët zbulojnë rrethanën e rrallë që ndodh një herë në 200 vjet...

Shkencëtarët zbulojnë rrethanën e rrallë që ndodh një herë në 200 vjet që shkaktoi përmbytjet në Itali

Associated Press

Një kombinim i rrallë i tre ciklonëve të njëpasnjëshëm solli përmbytjet që shkaktuan dëme këtë muaj në pjesën më të madhe të Italisë së veriut. Por shkencëtarët thanë të mërkurën se ndryshimi klimatik nuk duhet se është fajtori për këto reshje intensive.

Duke shfrytëzuar simulime kompjuterike dhe gjetjet e mëparshme, një ekip shkencëtarësh nuk arriti të gjejë evidencë se ngrohja e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor ishte shkaktare e përmbytjes. Shkencëtarët e grupit shkencor World Weather Attribution krahasuan ngjarjet me një version të simuluar të një bote pa ngrohje të shkaktuar nga aktiviteti i njeriut. Në dallim nga shumë studime të së kaluarës, shkencëtarët nuk gjetën gjurmët e një ndryshimi klimatik të nxitur nga përdorimi i lëndëve fosile të energjisë.

Sidoqoftë, pikërisht prej faktit se është shumë e rrallë që të ndodhin tre stuhi të mëdha reshjesh në një periudhë kaq të shkurtër – studimi vlerësoi se ekziston një mundësi 1 në 200 që tre ciklonë të godasin brenda një periudhe trejavore – ekspertët thonë se do të duhet më shumë kohë për këtë studim.

“Ky nuk është fundi i historisë”, tha bashkëautori i studimit Davide Faranda, studiues për fizikën e klimës në Institutin Pierre-Simon Laplace në Francë. “Kjo ngjarje është shumë e rrallë”, tha ai gjatë një aktiviteti për paraqitjen e gjetjeve.

“Mos harroni se kishte një thatësirë përpara”, stuhia e parë goditi rajonin Emilia-Romagna më 2 maj, dhe “kjo (thatësirë) ishte për shkak të ndryshimeve klimatike”, tha zoti Faranda. Ai po i referohej dy viteve me pak ose aspak reshje, që e lanë tokën aq të tharë sa nuk mund të përthithte reshjet e para. Thatësira ndodhi kryesisht nga mungesa e reshjeve të borës në alpe, e cila zakonisht ushqen lumin Po dhe vijat e tjera më të vogla ujore në veri të Italisë.

Ky studim u ndërmor “për t’iu përgjigjur pyetjes nëse dhe në çfarë mase ndryshimi i klimës” pati ndikim në përmbytjet në Emilia-Romagna, tha Friederike Otto, nga Kolegji Imperial i Londrës, dhe njëkohësisht bashkëthemeluese e grupit shkencor.

Ndërsa qindra rrugë, shtëpi, ferma dhe sipërmarrje të tjera ende janë të zhytura në ujërat e përmbytjeve, studimi u krye vetëm një javë më parë dhe nuk ka kaluar procesin e oponencës shkencore.

Ndërsa rajoni ka një historik përmbytjesh të mëdha, “reshjet e dendura gjatë 21 ditëve të para të majit 2023 sollën reshjet më të shumta të këtij lloji që janë regjistruar ndonjëherë”, thotë studimi.

Por “nga 19 modelet e përdorura, asnjë prej tyre nuk tregon gjasa apo intensitet të konsiderueshëm për të ndodhur një ngjarje e tillë”, thuhet në studim. “Kjo sugjeron, se ndryshe nga shumica e pjesëve të botës, nuk ka vërtet rritje të dukshme të reshjeve të mëdha në rajonin Emilia-Romagna në pranverë”.

Duke parë përmbytjet e majit, në këtë rast “ku ne nuk dallojmë qartë asnjë tendencë”, tha zonja Otto.

Përmbytja e fundit nga tre përmbytjet e majit ishte më dëmtuesja dhe shkaktoi 15 viktima. Reshjet jashtëzakonisht të mëdha dhe të përqëndruara shkaktuan rreth 300 rrëshqitje dheu dhe vërshimin e 22 lumenjve. Ujërat e përmbytjeve ishin aq të larta, saqë u deshën helikopterë të forcave zjarrfikëse dhe të rojës bregdetare për të shpëtuar disa banorë që u ngjitën në çatitë e ndërtesave trekatëshe për t’i shpëtuar mbytjes.

Gjetjet e studimit vërtetuan studimet e mëparshme që zbuluan se “me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, numri i sistemeve me presion të ulët në Mesdhe është ulur. Kjo çon në një pakësim të reshjeve të mëdha, duke kompensuar rritjen e pritshme të reshjeve të dendura nga ngrohja globale”.

Emilia-Romagna është një nga rajonet më të begata të Italisë. Ashtu si kudo në veri, gjatë bumit ekonomik të vendit në periudhën e pasluftës, pjesa më e madhe e rajonit u urbanizua me shpejtësi, duke ia mohuar zonës terrenin e nevojshëm për kullim dhe duke rritur rrezikun e përmbytjeve.

E gjithë kjo “ka përkeqësuar ndikimin e reshjeve të mëdha. Megjithatë, kjo ishte një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë dhe pjesa më e madhe e infrastrukturës nuk mund të ndërtohet në mënyrë të arsyeshme për t’i bërë ballë ngjarjeve të tilla me frekuencë të ulët”, thanë shkencëtarët në gjetjet e tyre.

“Katastrofat thjesht nuk ndodhin nga shiu që bie nga qielli”, tha bashkëautori i studimit Roop Singh, i Qendrës Klimatike të Gjysmëhënës së Kuqe të Kryqit të Kuq, me seli në Holandë.