Pandemitë e ardhshme mund të jenë më vdekjeprurëse sesa Covid-19. Ky është paralajmërimi që vjen nga një prej krijuesve të vaksinës AstraZeneca.
Prof. Sarah Gilbert tha se duhen më shumë fonde për pandemitë pasardhëse, për të parandaluar pasojat e tyre. Gjithashtu, shtoi se vaksinat aktuale mund të jenë më pak efikase ndaj variantit Omicron.
“Kjo nuk do të jetë hera e fundit që një virus kërcënon jetët tona. E vërteta është që pandemia e radhës mund të jetë edhe më keq. Mund të jetë më e transmetueshme ose më vdekjeprurëse, ose të dyja bashkë”, deklaroi Gilbert.
“Nuk mund të lejojmë që pas gjithë këtyre që kemi kaluar, të mos kemi fonde për të përballuar pandeminë e ardhshme. Avancimet që kemi bërë, dija që kemi përfituar deri tani, nuk duhen humbur”, shtoi Gilbert.
Duke folur për variantin Omicron, ajo tha se proteina e këtij varianti përmban mutacione të njohura për të rritur transmetueshmërinë e virusit. Gilbert tha se mbrojtja e reduktuar kundër infeksionit dhe sëmundjeve të lehta nuk do të thotë domosdoshmërisht mbrojtje e reduktuar kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes. Ajo gjithashtu bëri thirrje që nxitja e vaksinimit të jetë një ndër gjërat thelbësore që duhet të bëjë qeveria.
Gilbert, profesoreshë e vaksinologjisë në Universitetin e Oksfordit, vlerësohet se ka shpëtuar miliona jetë përmes rolit të saj në krijimin e vaksinës kundër Covid-19 në kohë rekord. Me një dekadë përvojë në fushën e prodhimit të vaksinave, ajo inicioi projektin e vaksinës SARS-CoV-2 në fillim të vitit 2020 kur Covid-19 u shfaq për herë të parë në Kinë.
Vaksina AstraZeneca e zhvilluar nga ekipi i saj përdoret në më shumë se 170 vende. Ajo mori një çmim në fillim të këtij viti për shërbimet ndaj shkencës dhe shëndetit publik.