Një lloj i ri turizmi po lind në Shkodër. Lundrimi me kanoe përgjatë liqenit dhe lumit Bunë po preferohet gjithnjë e më shumë nga turistët shqiptarë dhe ata të huaj, duke eksploruar natyrën magjepsëse në të dy anët e lumit bashkë dhe me biodiversitetin e rrallë të kësaj zone.
Përgjatë një udhëtimi prej 3 orësh, ju do të mahniteni ndërsa do të shijoni qilimin magjik të zambakëve të ujit mbi liqenin e Shkodrës, shpendët e rrallë si lejleku e dallëndyshja faqebardhë, plazhet e virgjëra, apo rrënojat e kishave të vjetra që mbartin historinë e shekujve me radhë
Një ndër guidat më të njohura të këtij lloj sporti në Shkodër është Drini Xhafa i cili mundëson lundrimin mbi kanoe nga dy deri në 20 persona maksimumi. Drinin të cilin tashmë e njohin të gjithë me moton e tij që prej pandemisë ‘Safe with Drini’, e njeh shumë mirë zonën dhe ofron disa paketa guidash që ndryshojnë nga çmimi sipas itinerarit që turisti zgjedh. “Paketat ditore nisin nga 30 deri në 80 euro, dhe çmimi vendoset sipas kërkesave të turistëve, sa orë lundrim duan dhe sa vende do të shohin përgjatë udhëtimit. Sigurisht që në paketë përfshihen dhe pije, koktejle e ushqim. Punoj me shqiptarë dhe të huaj, por më mirë ndihem me të huajt sepse jo vetëm që e njohin këtë lloj turizmi, por janë dhe shumë komod në komunikim e korrektësi, duke ma bërë dhe mua më të lehtë punën dhe kënaqësinë që marr prej saj”, shpjegon Drini ndërsa ne e shoqëruan në një nga guidat promovuese.
Të lundrosh mbi një kanoe nuk është e thënë të kesh një eksperiencë në të tillë sport, por një trajnim i vogël jepet paraprakisht shoqëruar dhe me veshjet e sigurisë përgjatë udhëtimit. Drini dhe Aurora nga ‘Drini Times’ pjesë e guidës, shpjegojnë se me kanoet ose kajakët në Shkodër, mund të lëvizësh në dy destinacione; i pari në liqenin e Shkodrës dhe quhet itinerari i zambakëve të bardhë të liqenit dhe destinacioni i dytë është lumi Buna që më tej bashkohet dhe me lumin Drin.
Për të promovuar vlerat ujore të Shkodrës ky turizëm i aventurës ka gjetur edhe mbështetjen e mjaft projekteve dhe shoqatave në mbrojtje të turizmit, të cilat në bashkëpunim me guidat dhe tur operatorët e zonës po bëjnë maksimumin për të tërhequr sa më shumë turistë.
Përfaqësues të ‘EDU BUNËN’ dhe ‘Mandarina Project’ thonë se qëllimi është pikërisht të edukojmë turistët mbi mënyrat e reja të eko turizmit, dhe të krijojmë një ofertë eko turistike atraktive për turistët vendas dhe të huaj. “Edukimi i turistëve do të thotë që ata të bëjnë zgjedhje të përgjegjshme përsa i përket modelit të lëvizjes, përzgjedhjes së vendeve, ushqimit, blerjeve dhe konsumit në përgjithësi në zonën e mbrojtur, duke e trajtuar mirë dhe duke patur kujdes të vecantë për natyrën dhe një turizëm eko, të qëndrueshëm, duke përgatitur në mënyrë të posaçme ‘eco touristic packages’,” shprehen ata.
Tashmë Shkodrës me bukuri të shumta natyrore dhe historike po i shtohet dhe lundrimi me kanoe, ky lloj i ri i turizmit të aventurës që pa dyshim do të jetë një trend në rritje vit pas viti.