Një burrë gjeti vdekjen pasditen e kësaj të premteje në Shkodër, pasi u përplas nga një automjet. Ngjarja e rëndë në fshatin Shtoj i Ri, në aksin rrugor Koplik-Shkodër.
Viktimë nga ky aksident ka mbetur 49-vjeçari Agim Sh. Ai mësohet se lëvizte me biçikletë kur u përplas nga një automjet, në timonin e së cilës ndodhej Gj.GJ., punonjës policie.
Autoritetet mësohet se kanë ndaluar policin, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
“Rreth orës 17:30, në aksin rrugor Koplik-Shkodër, në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër, automjeti tip “Fiat” që drejtohej nga shtetasi Gj. Gj. 26 vjeç, ka goditur shtetasin A. Sh. 49 vjeç, i cili lëvizte me biçikletë. Shtetasi A.Sh është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër dhe me pas ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Drejtuesi i mjetit shtetasi Gj.Gj është shoqëruar në ambientet e DVP Shkodër për veprime të mëtejshme. Veprimet po kryhen me grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për sqarimin e rrethanave të aksidentit“, tha zyrtarisht Policia e Shkodrës në një njoftim për mediat.