Aktualitet Shkodër/ Pronari i shtëpisë gjen të vdekur qiramarrësin korean, dyshimet e policisë

Shkodër/ Pronari i shtëpisë gjen të vdekur qiramarrësin korean, dyshimet e policisë

Trupi i pajetë i një koreani është gjetur në një banesë në Shkodër. Në fakt, ka qenë pronari i shtëpisë që e ka gjetur të dekompozuar trupin e 39-vjeçarit D.K.

Ky i fundit kishte marrë me qira banesën në lagjen “Naim Gjylbegu”. Por prej disa muajsh nuk i ishte përgjigjur pronarit, një 38-vjeçari me iniciale A.V.

“Sipas deklarimeve të 38-vjeçarit, ai kishte shkuar në këtë banesë, pasi prej muajsh nuk kishte përgjigje nga qiramarrësi i saj, shtetasi D. K., dhe kur ka konstatuar trupin e dekompozuar të këtij shtetasi, ka njoftuar menjëherë Policinë”, thanë uniformat blu.

Policia thotë se në trupin e 39-vjeçarit nuk kishte shenja dhune. Ndërsa nga kontrollet e imtësishme në banesë u gjetën disa doza droge. Prandaj për këtë arsye, dyshohet se ai ka humbur jetën nga mbidoza.

Megjithatë është ngritur një grup hetimor që pritet të sqarojë në mënyrë të plotë rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Mësohet se 39-vjeçari koreano-jugor jetonte në Shkodër që nga muaji shkurt i vitit 2022.