Ashtu siç u bë zakon në këto zgjedhje, çdo ekip fitues i Partisë Socialiste mban nga një fjalim falënderues.
E hëna ishte dita e Benet Becit që fitoi një mandat historik si kryebashkiak në Shkodër. Në fjalën e tij, Beci tha se Shkodra vendosi që të jetë pro zhvillimit dhe ndryshimit, ndërsa theksoi se ai do të jetë kryetar i të gjithëve, pa dallim ngjyre politike.
“Akoma nuk më kanë dalë emocionet e këtyre dy ditëve të jashtëzakonshme, të mrekullueshme, të dy ditëve ku Shkodra foli, ku qytetarët e Shkodrës folën, ku Shkodra vendosi të jetë pro zhvillimit, pro ndryshimit. Është një satisfaksion i madh pas një muaj fushate ku folëm për projektet, diskutuam me të gjithë se si të bëhet një Shkodër më e mirë. Besimi i madh është një detyrim i jashtëzakonshëm që unë jam shumë mirënjohës Shkodrës për besimin. Besimi është nga gjërat më të shtrenjta që jepet”, tha Beci.
Ai premtoi se do të jetë në shërbim të çdo qytetari të Shkodrës. Mirënjohje shprehu edhe ndaj demokratëve për të cilët tha se e ka obligim që besimin t’ua kthejë në punë edhe atyre.
“Jam mirënjohës çdo demokrati që na kanë parë pak me dyshim dhe më në fund shumë prej tyre kanë arritur të na japin besimin. Për ne është obligim t’ua kthejmë në punë dhe atyre. Sot jemi përpara një sfide të jashtëzakonshme për ta bërë atë që kemi premtuar dhe me një mirënjohje të veçantë për kryeministrin Rama që mbështetja dhe planet, dhe projektet që kemi shpalosur për Shkodrën do të bëhen realitet. Ky është obligimi ynë”, u shpreh Beci.
Ndërsa drejtuesja politike e PS për qarkun e Shkodrës, Elisa Spiropali vlerësoi fushatën e bërë në këto zgjedhje dhe shprehu bindjen se kryetari i sapozgjedhur i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, “do ta mbajë premtimin për ta bërë Shkodrën kryeqendrën e veriut, portën e Shqipërisë nga Europa dhe një perlë në rajon”.
“Ju përshëndesim shumë nga qarku fantastik i Shkodrës pas një fushate shumë të bukur, energjike, njerëzore, takimesh me të gjithë komunitetet. Në të gjithë qarkun është bërë një fushatë e jashtëzakonshme, e cila më ka mbresuar fort si drejtuese politike e qarkut Shkodër. Ka qenë nder për mua. Na ka prodhuar një kryetar të ri të bashkisë Shkodër, kryetarin e Vaut të Dejës, dhe kryetarin e Malësisë së Madhe. Sigurisht në Shkodër është bërë një fushatë e cila tejkalon çdo pritshmëri, me përulësi, me qasje të re ndaj bashkisë Shkodër, e cila jo siç thonë disa ka rënë, në fakt Shkodra është ngritur dhe do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi turistik dhe ekonomik. Ne do t’i shërbejmë të gjithëve pa dallim dhe jam e sigurt që Beneti do ta mbajë premtimin për ta bërë Shkodrën kryeqendrën e veriut, portën e Shqipërisë nga Europa dhe një perlë në rajon”.
Duket se një rol të veçantë në këtë fitore ka pasur edhe ish deputeti i LSI-së, Agron Çela.
“Krenari që jam sot këtu, është nder dhe vlerë. Urime”, tha Agron Çela.
Nga ana tjetër, ministrja Edona Bilali tha se e ka ëndërruar që një ditë do të vinte dhe tashmë është realitet.
“Jam shumë e emocionuar, u bashkova PS se besoja shumë që një ditë si kjo do vinte për Shkodrën, Shkodra na besoi dhe na mbetet që t’i shërbejmë”, tha Edona Bilali.