Një ditë pas vdekjes për shkaqe ende të paqarta të 46-vjeçares Anila Bazelli në spitalin e Pogradecit, bashkëshorti i saj Luan Bazelli thotë gruaja, përveçse pak probleme me astmën nuk kishte probleme të tjera shëndetësore.
Ai thotë se 46-vjeçarja mbërriti me këmbët e saj në spital dhe 10 minuta pasi iu injektua një gjilpërën, humbi jetën.
“Zonja ime ishte me shëndet të mirë, të akuzoj apo jo, janë organet që po merren me çështje. Di që zonja ime ka ikur nga mjekimi, pakujdesia. Në spital ka mbërritur me këmbët e saj, me tension normal, me të tëra. 10 minuta pas gjilpërës ajo mbaroi direkt. Nuk ka patur sëmundje të tjera, vetëm pak probleme me astmën”, tregon ai mes të tjerash.
Anila Bazelli, me profesion mësuese, humbi jetën në Spitalin e Pogradecit gjatë mbrëmjes të së martës. 46-vjeçarja u dërgua nga familjarët në spital rreth orës 19:00 pasi nuk ishte ndjerë mirë. Por më vonë gjendja e saj u përkeqësua dhe ndërroi jetë.
Familjarët akuzojnë mjekët dhe infermierët e urgjencës për mjekim të gabuar.
Trupi i 46-vjeçares Anila Bazelli është transferuar në morgun e qytetit, por autopsia do të kryhet nga ekspertë nga Tirana, nisur edhe nga pretendimet e familjarëve.
Ishte prokuroria ajo që kërkoi ekspertizën nga kryeqyteti për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e vdekjes së mësueses. Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për vdekjen e 46-vjeçares.