Një kupton tatimor u bë viral në Itali sepse një restorant tarifoi me 58 euro një kliente që kishte blerë tortën e ditëlindjes… diku tjetër.
Sipas “La Stampa-s”, ngjarja që u bë virale në mediat sociale ndodhi në një restorant në Toskana, ku klientja i kërkoi stafit për të prerë një tortë ditëlindjeje që e kishte blerë diku tjetër.
Ajo shkoi në restorant për të festuar ditëlindjen e saj me 12 të ftuar dhe kishte marrë me vete një tortë që e kishte blerë në një pastiçeri dhe i kishte kushtuar 45 euro.
Gruaja ia dha tortën stafit dhe u kërkoi ta prisnin dhe ta shërbenin në fund të darkës, gjë që ata e bënë. Ajo që sigurisht, nuk e priste ishte të shihte në faturë një tarifë prej 58.5 euro (4.5 euro për person) për prerjen dhe servirjen e tortës.
Klientja e pagoi faturën, por ndau përvojën e saj në rrjetet sociale, ku postimi i saj mori shumë komente.
Gjithashtu edhe restoranti e konfirmoi se gjërat shkuan pikërisht ashtu siç i përshkroi gruaja dhe se ka një tarifë standarde për servirjen e ëmbëlsirave që klientët sjellin me vete.
Megjithatë, pronari, i cili pretendoi se ishte larg kur ndodhi incidenti, pranoi se kënaqësia e klientit duhet të ishte prioritet dhe se punonjësit e tij mund të kishin treguar më shumë… fleksibilitet në këtë rast të veçantë.