Duke nisur nga kjo e shtunë dhe në tre javët në vijim shkollat e arsimit parauniversitar do të bëjnë mësim. Ky vendim është marrë nga Ministria e Arsimit për të zëvendësuar 4 ditët e fillimit të Janarit të cila u lanë pushim për shkak të situatës nga Covid.
Zyrat arsimore udhëzojnë se drejtuesit e institucioneve arsimore të tregojnë fleksibilitet në hartimin e orarit mësimor, në raport me programin mësimor që ka mangësi në realizimin e tij. Në çdo shkollë drejtoritë kanë zhvilluar testime në çdo klasë, pa vlerësim me notë, por ato shërbejnë për të evidentuar dobësitë e nxënësve për shkak të zhvillimit të mësimit online dhe për të hartuar më tej planin për plotësimin e boshllëqeve në vijim.
Katër të shtunat mësim do të vijojnë deri në mbyllje të vitit arsimor për shkollat 9-vjeçare, të cilat përfundojnë më 8 Qershor, ndërsa provimet e arsimit bazë janë në periudhën 9-30 Qershor 2021.
Ndërsa shkollat e mesme do të përfundojnë një javë më vonë, më 15 Qershor. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, për vitin shkollor 2020-2021 maturantët mbarojnë vitin më herët, më 1 Qershor, pasi nisin sezonin e provimeve të maturës në periudhën 2-30 Qershor.