Në kuadër të operacionit policor të koduar “Repeater” është vënë në pranga 42-vjeçari me iniciale M.O.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se 42-vjeçari, më 15 Dhjetor të këtij viti ka vjedhur një “Golf” në rrugën “Mikel Maruli” në Tiranë. Gjithashtu është proceduar penalisht dhe një i mitur 17-vjeçar, u dyshuar si i implikuar në veprimtarinë kriminale.
Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin e 42-vjeçarit në fshatin Gjoricë, shërbimet e Policisë gjetën automjetin me të cilin ka lëvizur ditën që ka kryer vjedhjen, automjetin e vjedhur, pjesë motorike automjetesh të tjera, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me veshjet që autori ka përdorur gjatë ngjarjes.
Po ashtu, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se 42-vjeçari, më datë 7 Prill të këtij viti ka vjedhur një automjet në rrugën “Ndre Mjeda”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.