Aktualitet Shkon në tre numri i të arrestuarve për vrasjen e Liridonës, prangoset...

Shkon në tre numri i të arrestuarve për vrasjen e Liridonës, prangoset efektivi i FSK

Liridona dhe Naim Murseli

Një person i tretë është vënë në prangat e policisë së Prishtinës mbrëmjen e kësaj të premteje për vrasjen e Liridona Murselit.

Klan Kosova raporton se në pranga ka rënë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Momentalisht nuk është e qartë cili është roli i tij në këtë ngjarje të rëndë.

Pa u bërë 48 orë nga vrasja e 30-vjeçares, autoritetet në Kosovë vunë në pranga bashkëshortin e saj 33-vjeçar Naim Murselin dhe Granit Plavën. Liridona Murseli, nënë e dy fëmijëve u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës, teksa udhëtonte me makinë me bashkëshortin dhe dy fëmijët.

33-vjeçari Naim Murseli pretendoi se ajo u vra gjatë një tentative grabitjeje. Megjithatë hetimet bënë që këtë të premte autoritetet hetimore në Kosovë të zbardhin të vërtetën: Vrasjen e Liridonës e porositi pikërisht bashkëshorti i saj.

Ai pajtoi si ekzekutor bashkëfshatarin e tij, Granit Plava. Ky i fundit në dëshminë e dhënë në polici tha se Murseli e kishte paguar 30 mijë euro.

Gjatë mbrëmjes, mediat në Kosovë raportuan po ashtu se vetë Murseli, i cili kishte punuar në të shkuarën si këshilltar i Behgjet Pacollit, e ka pranuar krimin në polici.

Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende.

Liridona Murseli ishte nënë e dy fëmijëve të mitur.