Ekonomi Shkreli: Tërmetet, siguracioni i banesave të jetë i detyrueshëm

Shkreli: Tërmetet, siguracioni i banesave të jetë i detyrueshëm

Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli thotë se qeveria duhet ta bëjë të detyrueshëm siguracionin e banesës, duke arsyetuar se është e pamundur që shteti të ndërhyjë për rikonstruksion në të gjitha ndërtesat e dëmtuara nga tërmetet.

I ftuar në studion e ABC News me gazetaren Mirela Milori, Shkreli u shpreh se shteti nuk ka kapacitetin të ndërhyjë në të gjitha objektet e prekura, përveç atyre që kanë pësuar dëmtime të mëdha apo që janë të pabanueshme.

Sipas zv/ministrit, do të jenë kompanitë e sigurimeve që duhet ta kenë të detyruar me ligj ndërhyrjen për riparimin e dëmeve në banesa pasi të jetë kryer ekspertimi.

“Çdo ngjarje e cila dëmton jetët e njerëzve ose pronat e njerëzve, duhet shoqëruar me forcimin e masave mbrojtëse ose forcimin e masave siguruese në këtë rast. Mendoj që është e domosdoshme edhe nga ana e qeverisë bërja e sigurimit të banesave të detyruara, kuptohet në një masë që njerëzit mund ta përballojnë në mënyrë që kompanitë e sigurimit në shtëpi të caktuara apo dhe objekte të tjera të caktuara të cilat janë siguruar, janë të detyruara me ligj që të bëjnë riparimet përkatëse pasi grupi i ekspertimit të përcaktojë dëmet. Është e pamundur në rastet e gjithë banesave të kryeqytetit që shteti të ndërhyjë në çdo plasaritje që ekziston. Shteti do ndërhyjë në ato objekte të cilat paraqesin rrezik konstruktiv dhe nuk garantojnë qëndrueshmërinë, jo vetëm aktualisht por dhe të tërmeteve të kësaj natyre në të ardhmen. Tërmetet janë si puna e pneumonive që mblidhen. Çdo tërmet ul aftësinë mbajtëse të godinës dhe në rastet që dëmet shikohen me sy apo testohen nga eksperti janë të mëdha, duhet patjetër të bëhet ndërhyrja duke përforcuar kollona, trarë apo nyjet lidhëse të objektit”.

Duke folur për tërmetin e fuqishëm që goditi vendin, Artan Shkreli theksoi se dëmet më të mëdha pritet të jenë në Tiranë dhe shumë shpejt do të dalë raporti me të gjitha të dhënat.

“Shumë shpejt ne do të dalim me një raport ku do të themi dhe cilat kanë qenë dëmet në Tiranë, sepse Tirana është ajo që e pësoi më shumë nga ky tërmet. Pavarësisht që, për shembull mesa di unë, në Shijak janë 16-17 banesa që kanë dalë të pabanueshme dhe aty është vepruar. Në Durrës po punohet. Por Tirana, duke qenë qytet shumë i madh dhe me problematike nga më të paimagjinueshmet natyrisht që do të ketë shumë të dhëna që do t’i bëjmë shumë shpejt me dije”.