Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka vijuar me shkarkimin e diplomatëve dhe të fundit janë dy diplomatët e karrierës Florian Nova dhe Enkelejda Riza në ambasadën shqiptare në Athinë.
Tashmë në Athinë ka mbetur vetëm ambasadorja Ardiana Hobdari, e cila pak ditë më parë mori edhe masë disiplinore pas humbjes së pasaportave.
Gjithashtu mësohet se është shkarkuar edhe Pranvera Skana në Londër.
Skana ka qenë ish e fejuara e Henri Çilit.
Ndwrkojw, Spartak Ngjela e sheh pozitive shkarkimin e 20 diplomatëve nga Ministri i Jashtëm Cakaj.
I ftuar në RTV Ora, avokati thotë se vendi ka vuajtur nga një diplomaci e vdekur dhe se Ambasadat janë turpi i Zotit.
Por megjithatë thotë se mbetet për t’u parë vizioni i Cakaj dhe kjo reformë që ka ndërmarrë.
Ngjela: Që diplomacia shqiptare ka qenë një diplomaci e vdekur kjo nuk diskutohet, që Ambasadat në botë janë turpi i Zotit dhe kjo nuk diskutohet. Që diplomatët shqiptarë paguhen më pak në gjithë botën kjo nuk diskutohet, që diplomatët shqiptarë nuk i kanë dhënë asgjë Shqipërisë dhe kjo nuk diskutohet. Mirë bën që i heq, të shikojmë ku e ka platformën e ngritjes intelektive, ku e ka doktrinën e tij për zëvendësimin e tyre, të shikojmë.
Po mori kalamaj dhe futi atje, nuk ka asnjë gjë. Gjendja e diplomacisë shqiptare është në krizë. Bën mirë që bën reformën por nuk na ka treguar se cila është reforma. Mbase do të që tu japë privilegje njerëzve të tij, unë dua të shoh reformën. Më kë do ti zëvendësojë, nuk e di.