Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i jepet nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Sipas Presidentes Osmani, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letrave shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim për shtetin e Kosovës.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidenca e Kosovës njofton se dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t’i dorëzohet nga Presidentja Osmani gjatë vizitës e cila do të realizohet në Shqipëri pas pak kohësh.
Sjellim në vëmendje se Presidentja Osmani në Qershor të këtij viti, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.