Një zjarr me përmasa të mëdha është regjistruar pasditen e të martës në qytetin e Laçit. Një sipërfaqe pyjore është përfshirë nga flakët teksa rrezikohen banesa dhe biznese. Për shuarjen e flakëve është nisur një helikopter dhe zjarrfikësit e të gjitha bashkive përreth Laçit.
Zjarri dyshohet se është vënë qëllimisht nga dy persona të cilët janë identifikuar.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Taulant Balla njoftoi se Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrvënie
“Në Bashkinë Kurbin, në masivin me pisha pranë qytetit të Laçit, kemi një ndër situatat më të vështira të krijuar nga zjarret gjatë këtij viti. Ndërsa forcat zjarrfikëse të gjitha bashkive pranë Kurbinit janë urdhëruar të ndërhynë, edhe Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë nisur për në Laç. Policia e Shtetit ka ndalur në flagrancë njërin nga autorët e kësaj zjarrvënie (shtetasi V.H. 41 vjeç)”, njofton Balla.