Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon KLD-së të pezullojë nga detyra gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Ceno. Për të tre ka nisur një hetim të dyshuar për korrupsion. Në dosjen e prokurorisë drejtuar KLD-së thuhet se sa kohë të tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit janë nën hetim ata duhet të pezullohen deri në përfundim të hetimeve.
Prokuroria thotë se 3 gjyqtarët dyshohet të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme udhëtime jashtë vendit, madje në një rast kanë ndjekur edhe ndeshjen Real-Barcelona në Spanjë. Prokurorët thonë se ata kanë përfituar nga biznesmeni Namik Sadiku, edhe ky nën hetim nga Krimet e Rënda.
Prokuroria radhit udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin si në Itali, ashtu edhe në Spanjë si edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin.