Flamurtari nuk do të ketë më heqje pikësh. Problematika e klubit vlonjat, për momentin lidhet vetëm me probleme financiare, duke qenë se ato disiplinore kanë përfunduar.
Kërkesa për të shqyrtuar çështjen në “CAS”-in e Lozanës ishte një tjetër hap fals i klubit vlonjat, që nga formulimi i kërkesës deri te moskryerja e pagesës.
Gjithsesi, për shkak të ndryshimeve të aprovuara në Asamblenë e Përgjithshme të muajit mars të këtij viti, Flamurtarit i krijohet mundësia të shmangë zbritjen e pikëve, gjë që mund të sillte një ndryshim në renditjen e sezonit të shkuar dhe rrjedhimisht mund të shpëtonte Tiranën nga rënia nga kategoria.
Avokati i ish-trajnerit të Flamurtarit, Ernest Gjoka ka kërkuar së fundmi në Federatën Shqiptare të Futbollit vetëm zbatimin e nenit 137 të Komisionit të Disiplinës, për të ekzekuturar vendimin e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, pranë FSHF-së, e cila kishte vendosur të detyronte Flamurtarin t’i paguante ish-trajnerit disa paga të prapambetura, që kapin shifrën e rreth 45 mijë eurove.
Në bazë të këtij neni, nëse pala debitore nuk e ka bërë një gjë të tillë vullnetarisht, atëherë ngarkohet Sekretariati Teknik për të njoftuar debitorin dhe për të vendosur sekuestro mbi financat që mund të ketë skuadra e Flamurtarit në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Në këtë formë, për raste të tilla FSHF-ja shndërrohet edhe në një organ përmbarimor, për t’i dhënë zgjidhje ngërçeve dhe për të mos vazhduar pafundësisht me penalitete disiplinore sportive me heqje pikësh, gjë që sjell një kaos jo të vogël sa i përket klasifikimit të kampionatit.
Për momentin nuk dihet nëse në arkën e skuadrës së Flamurtarit në FSHF ka ndonjë shumë, e cila do t’i sekuestrohet, por gjithsesi, paratë që vijnë nga e drejta televizive apo nga burime të tjera që kalojnë nëpërmjet FSHF-së do të kalojnë në sekuestro për llogari të Ernest Gjokës, apo lojtarëve të tjerë ndaj të cilëve klubi mund të jetë debitor.