“Shansi më i mirë i grekëve në Shqipëri që të marrin tokat e tyre, po vihet në rrezik”. Me këtë titull, Shoqata e Himariotëve Amerikane, një ndër shoqatat më aktive në mbrojtje të të drejtave të shtetasve grekë, rreshtohet pro Ligjit të Pronave në Shqipëri.
Deklarata vjen pas një konflikti të lindur mes greko-amerikanëve me prejardhje nga Himara dhe grekëve etnikë që jetojnë në Himarë, përsa i përket Ligjit të ri të Pronave. Shoqata thotë se disa grupe në Himarë pretendojnë se legjislacioni i ri nuk zgjidh asnjë problem ekzistues dhe shton probleme të reja.
“Por kjo nuk është e vërtetë”, thotë Kosmas Karavelas, president i Shoqatës së Himariotëve të Amerikës me qendër në Uashington.
“Ligji i ri u jep banorëve të Himarës dhe të gjithë grekëve etnikë në Shqipëri, mundësinë më të mirë që nga rënia e komunizmit 30 vjet më parë për të regjistruar pronat e tyre dhe për të marrë tituj të qartë të pronësisë së tyre”, shprehet ai.
Ai thotë se ekspertë të angazhuar nga Shoqata, përfshirë avokatin Simos Dimas, familja e të cilit vjen nga Himara, kolegu i tij Jay Creutz dhe një ekip lokal i specialistëve të ligjit për pronën, kanë bashkëpunuar për dy vite me autoritetet shqiptare për të hartuar ligjin e ri dhe u këshilluan gjerësisht me ekspertë europianë dhe amerikanë, si dhe udhëheqës të grekëve etnikë gjatë procesit.
Edhe avokati Dimas shprehet se ligji i ri u siguron pronarëve të ligjshëm mundësinë për të regjistruar përfundimisht pronat e tyre pas 30 vitesh kaos, duke siguruar qytetarët, pronarët dhe investitorët.
“Pa pasur mundësinë për të mbajtur titullin e qartë të pronës, nuk do të ketë investime në rajon… Pa investime dhe hapje vendesh të reja pune, rajoni do të thahet dhe do të vdesë. Ligji i ri është shpresa jonë më e mirë për të ardhmen e Himarës dhe të gjitha bashkësive të tjera greke në zonë“, deklaron ai.
Ndërsa eksperti Kreutz thotë se ky legjislacion u ofron të gjithëve që kane pretendime pronësie, një proces të drejtë për të siguruar titullin, raporton Tv Klan.