Mediat italiane kanë zbardhur rrëfimet e disa prej arrestuarve si anëtarë të bandës së Habilajve në Itali duke u fokusuar në mënyrë të veçantë tek ai që konsiderohet kreu i bashkëpunëtorëve italianë, 47-vjeçari Antonio Riela.
I marrë në pyetje nga hetuesit italianë në janar të 2018 ai zbardh se “Moisi Habilaj i thoshte shpesh të rrinte i qetë pasi në Shqipëria ai mbrohej nga një person i rëndësishëm që e mbronte dhe e lejonte të trafikonte sasi të mëdha marijuane nga Shqipëria drejt Italisë.”
Në përgjimet telefonike e ambientale të realizuara në vitet 2013-2015, Moisi Habilaj shprehet të ketë blerë për bashkëshorten e për nënën e ish-minisrit Tahiri bizhuteri të shtrenjta si dhuratë e mbi këtë fakt, italiani Antonio Riela konfirmon se ai ka shoqëruar personalisht Moisi Habilajn tek një shitës bizhuterish të shtrenjta, pranë Gjykatës së Katanias.
“Ishte dhjetori i 2013, shprehet Riella, nuk hyra brenda por di se Moisi Habilaj do të nisej drejt Shqipërisë e do të blinte disa bizhuteri të shtrenjta.”
Në përgjime Mosi Habilaj shprehet se këto bizhuteri do të jenë dhuratë për nënën e bashkëshorten e Sajmir Tahirit, por gjatë marrjes në pyetje ai e hedh poshtë këtë tezë duke rrëfyer se “këto bizhuteri kam blerë për gruan e Fatosit”, që sipas tij është bosi i grupit të tyre trafikant, por pa përmendur kurrë “mbiemrin e tij”.
Në përgjime zbardhet edhe mënyra e transportimit të parave të drogës nga Italia drejt Shqipërisë. Nezar Seitaj, i konsideruar financieri i këtij grupi kriminal, para investiguesve italianë thotë se “paratë fshiheshin në bidonet me detergjentë e më pas niseshin me tragetin e linjës.”
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët italianë të arrestuarit kanë mohuar që makina Audi A8 e ish-ministrit Tahiri të jetë përdorur për trafikimin e drogës.
Për këtë çështje Sajmir Tahiri nuk është më person nën hetim nga drejtësia italiane pasi në tetor të 2018 Prokuroria italiane ka kërkuar arkivimin e dosjes me akuzat ndaj tij./Ora News