Tri skuadra italiane, dy angleze, një spanjolle, një gjermane dhe një portugeze. Duket si shaka, por ky është kuadri i skuadrave çerekfinaliste të këtij edicioni në Champions League.
Milan, Inter dhe Napoli kanë siguruar vendin mes tetë më të mirave, duke konfirmuar rritjen e nivelit të Serie A edhe në arenën ndërkombëtare. Prezenca e tre ekipeve italiane në këtë fazë të eventit nuk ndodhte prej sezonit 2005/2006. Nga ajo periudhë kanë kaluar plotë 17 vjet.
Në verën e atij viti, Italia u shpall kampione e botës. Ndërsa në vitin që lamë pas, të kaltërit nuk u kualifikuan në Kupën e botës, për të dytën herë me radhë. Kaq mjafton për të kuptuar diferencat mes dy periudhave të ndryshme.
Të gjitha skuadrat presin me ankth shortin që do të hidhet këtë të premte, prej orës 12 në Nyon. Kjo fazë e hedhjes së goglave nuk përbën asnjë përjashtim. Për këtë arsye, ekipet italiane, por edhe ato angleze rrezikojnë të luajnë edhe derbi në Europë.
Real Madrid, Manchester City dhe Bayern Monaco janë padyshim favoritet e këtij edicioni në Champions dhe skuadrat që duhet të evitohen. Në anën tjetër, Chelsea në formën jo të mirë dhe Benfica janë rivalët më të përballueshëm në letër. Gjithsesi në këtë fazë të turneut asgjë nuk mund të thuhet me garanci dhe të gjithë mund të fitojnë.