Prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare “Shota” është prezantuar në panairin ndërkombëtar EUROSATORY që po mbahet në Paris.
Shqipëria merr pjesë për herë të parë e përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare në këtë panair, ku marrin pjesë rreth 2 mijë kompani nga e gjithë bota.
“Prezantohet në panairin EUROSATORY në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare Shota. Një moment i rëndësishëm që shënon pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar dhe përfaqëson një arritje të madhe për industrinë tonë të mbrojtjes”, shkruan ministri Peleshi në rrjetet sociale.
Automjeti është i pajisur me një teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë. Qëllimi i krijimit të kësaj makine është fuqizimi i industrisë ushtarake shqiptare dhe jo vetëm.