Ekonomi Shpallet kompania fituese e tunelit të Llogarasë

Shpallet kompania fituese e tunelit të Llogarasë

Agjencia e Prokurimeve Publike ka shpallur këtë fundjavë kompaninë fituese që do të zbatojë këtë projekt të hartuar Konsorciumi IC Consulenten.

Lajmin e dha mbrëmë edhe kryeministri Edi në studion e Zonë e Lirë të Arian Çanit ku përsëriti premtimin për ta finalizuar atë brenda këtij mandati. Në projekt është parashikuar që tuneli të jetë 5.9 kilometra i gjatë dhe ura që do të lidhë tunelin me Palasën 120 metra.

Tuneli do të ketë dy korsi në secilin krah të tij, njëri me gjerësinë 3.5 metra dhe një korsi emergjence prej 1.25 metrash. Shpejtësia e lëvizjes së automjeteve do të jetë deri në 80 kilometra në orë, çka mundëson kalimin e Qafës së Llogarasë për 7 minuta.

Në përzgjedhjen e projektit fitues u vlerësua me prioritet garantimi i sigurisë rrugore, së bashku me eficencën e kostos së ndërtimit të kësaj vepre. Një tjetër element me rëndësi të veçantë ishte zgjidhja arkitekturore, pasi bëhet fjalë për një vepër në një ndër pikat turistike të Shqipërisë, atë të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Tuneli do të jetë me pagesë për automjetet që do ta përshkojnë atë, por do të jetë studimi i fizibilitetit ai që do të përcaktojë tarifën. E gjithë vepra do të financohet nga buxheti i shtetit, me ndihmën e institucioneve financiare ndërkombëtare përmes kredive të buta.