Kryeinspektori Andri Mehja dhe një inspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Elbasan u shpallën këtë të martë në kërkim nga policia, për akuzën e shpërdorimit të detyrës e korrupsionit.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan shpallën në kërkim Andri Mehja, 38 vjeç, me detyrë kryeinspektor në IMT Elbasan dhe B. Q., 50 vjeç, inspektor në IMT Elbasan”, tha policia në një njoftim për mediat.
Ata dyshohen se në prill të këtij viti, nuk kanë kryer detyrat funksionale për një objekt të ndërtuar pa leje, në lagjen “28 Nëntori” dhe kanë marrë ryshfet për këtë favorizim.
“Për këta dy shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ata dyshohen se në muajin prill 2024, nuk kanë kryer detyrat funksionale për një objekt të ndërtuar pa leje, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, dhe kanë marrë ryshfet për këtë favorizim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, ndërkohë që vijon puna intensive për kapjen e këtyre 2 shtetasve”, thuhet në njoftimin e policisë së Elbasanit.