Një shpatë që besohet se i përkiste një kryqtari i cili po lundronte drejt Tokës së Shenjtë thuajse 1000 vite më parë, është nxjerrë nga thellësitë e Detit Mesdhe, falë syrit të mprehtë të një zhytësi amator. Lajmin e konfirmoi Autoriteti Izraelit i Antikiteteve.
E mbështjellë plotësisht nga guaska dhe organizma të tjerë detarë, shpata një metër e gjatë u dallua për shkak të rrymave të forta që kishin larguar rërën me të cilën kishte qëndruar e mbuluar për një kohë të gjatë.
Yaakov Sharvit, drejtori i Njësisë Detare të Autoritetit të Antikiteteve, tha se vendndodhja, një shpellë pranë portit të Haifas në Izrael, la të kuptohej se zona kishte shërbyer si strehë për detarët e asaj periudhe.
“Shpata është shumë e rëndë”, tha ai ndërsa e mbante në duar. “Mendoj se kryqtari që e ka pasur ka qenë në formë të mirë fizike dhe më trupmadh sesa mesatarja e sotme”. Shpata, që besohet se është 900-vjeçare, dhe pasi të pastrohet e restaurohet do të ekspozohet në muze.