5 muaj hetime çuan në arrestimin e dy personave në Fier. Shpëtim Kalemi 51 vjeç dhe Pandeli Petani, 57 vjeç, ranë në pranga pasi akuzohen për trafikim të veprave të artit dhe kulturës. Në shtëpitë e tyre, autoritetet zbuluan vepra arti të trafikuara nga Greqia, vlera e të cilave shkonte në 1.5 milionë euro.
Sipas policisë, “gjatë këtij operacioni, u ushtrua kontroll në dy banesa në qytetin e Fierit, konkretisht në banesat Shpëtim Kalemi dhe Pandeli Petani, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 107 vepra arti të dyshuara të trafikuara nga shteti grek, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera që dyshohet se i përkasin periudhës së antikitetit, një kokë mermeri e dyshuar e shekullit të dytë para lindjes së Krishtit, të gjitha këto me vlerë rreth 1.5 milionë euro, si dhe automjeti furgon me të cilin autorët transportonin veprat nga shtetit grek, në Shqipëri, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis dhe një peshore elektronike”.
“Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i 2 autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, Shpëtim Kalemi 51 vjeç dhe Pandeli Petani, 57 vjeç, të dy banues në Fier, për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim”.
Policia sqaron se nga hetimi rezultoi se të arrestuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë trafikuar vepra arti nga shtetit grek, për t’i shitur në Shqipëri.
Autoritetet vijojnë punën hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë. “Gjithashtu do të bashkëpunohet me policinë greke, për të zbardhur dhe dokumentuar këtë veprimtari kriminale dhe për të çuar përpara drejtësisë edhe shtetasit e tjerë të implikuar”.
Policia e Fierit thotë se është angazhuar maksimalisht gjatë muajve të fundit, për goditjen e veprimtarive kriminale në të gjitha fushat. Në kuadër të megaoperacioneve kombëtare “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit” janë çuar përpara përgjegjësisë penale, 64 shtetas të implikuar në veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, shtetas që qarkullonin me armë zjarri, të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale etj. Gjithashtu, gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar armë, drogë dhe sende të tjera të kundërligjshme.