Aktualitet Shpatë, pistoleta dhe municion luftarak. 4 të arrestuar në Tiranë

Shpatë, pistoleta dhe municion luftarak. 4 të arrestuar në Tiranë

Katër persona u prangosën nga efektivët e komisariatit nr.6 në Tiranë, për shkak të armëve të zjarrit pa leje të gjetura në mjetin me të cilin ata qarkullonin. Si rezultat i operacionit të koduar “Bridge” (Ura), u arrestuan në flagrancë Adrian Vladi, 35 vjeç, Aleks Vajda, 42 vjeç, Festim Rrustemi, 35 vjeç dhe Bermis Gjana, 22 vjeç.

Operacioni për ndalimin e tyre u organizua në aksin e vjetër Tiranë-Durrës, pranë urës së Beshirit, pas informacionit të siguruar në rrugë operative se në bordin e mjetit Mercedes Benz kishte persona të armatosur.

Nga kontrolli i mjetit u gjetën dhe sekuestruan 2 pistoleta, njëra prej të cilave me mulli, municion luftarak, 3605 euro dhe 2000 lekë të rinj.

Nga kontrollet në banesën e 22-vjeçarit Gjana u gjet një shpatë, që u sekuestrua si armë e ftohtë, ndërsa në banesat e të tjerëve nuk u gjetën sende të jashtëligjshme.

Pas arrestimit, të ndaluarit nuk kanë dhënë shpjegime mbi origjinën e armëve, apo arsyen e mbajtjes së tyre. Burime policore konfirmuan se të arrestuarit nuk kanë precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa po verifikohen kontaktet e tyre.