Sport Shpendi: Ftesë nga Italia? Shqipëria mbetet prioriteti im

Shpendi: Ftesë nga Italia? Shqipëria mbetet prioriteti im

Një talent për sulmin e Kombëtares. Vetëm 21-vjeç ka çmendur gjysmën e skuadrave italiane, por edhe ato europiane. Cristian Shpendi është njeriu i momentit në merkaton e janarit, me një garë të ethshme.

Rivalitet ka edhe në arenën ndërkombëtare, ku lojtarin e Shpresave të Shqipërisë, po mendon ta grumbullojë edhe Italia. Gjithsesi, Shpendi i ka idetë e qarta dhe zgjedh kuqezinjtë.

“Për momentin mendoj më tepër për Shqipërinë. Nëse vjen një ftesë nga Kombëtarja italiane? Normalisht që do ta shqyrtoja propozimin. Do ta mendoja me qetësi, sepse Italia është gjithmonë Italia. Edhe pse nëse më përpara më ftojnë në grumbullimin e Kombëtares shqiptare, unë do t’i thoja po shqiponjave”, deklaroi Shpendi.

Sulmuesi zbuloi se ka qenë tifoz me Interin, teksa i premtoi besnikëri Çezenës deri në fund të sezonit. Ai u shpreh se me “300% do të mbetet pjesë e skuadrës, për të realizuar objektivat”, ku fillimisht synohet mbijetesa në Serie B dhe më pas shpresohet kalimi në playoff, për t’u ngjitur në elitë.

Juventus, Napoli, Atalanta, Roma, Lacio e Torino janë në listën e të interesuarve për Cristian Shpendin. Pas 12 golave në këtë sezon, garës i janë bashkuar edhe portugezët e Benfica dhe kroatët e Dinamo Zagreb.