Në ditën kur SPAK mbylli hetimet dhe çoi në Gjykatën e posaçme dosjen “Partizani”, ndërsa avokatëve të tij iu dorëzua i gjithë materiali hetimore, Sali Berisha e akuzoi Prokurorinë e Posaçme për akuza të pabaza dhe të paprovuara në fakte.
Ai tha në konferencën për mediat se nga një vetting 30 vjeçar i pasurisë dhe aktivitetit të tij, “rezulton se Sali Berishës nuk i ka paguar kurrë kush qoftë dhe një shpenzim të vetëm”.
“Sali Berisha nuk ka udhëtuar me bileta të paguara nga njeri. Nuk ka fjetur në hotele 4500 euro, të paguara nga të tjerë. Nuk ka ndërtuar vilë, 75 metra themelet pa të ardhura. Nuk ka firmosur kurrë vendime siç ka firmosur Edi Rama për ti dhënë vëllait të vetë 38 mijë metër katrorë. Siç ka firmosur katër vendime për tu grabitur Begejësve dhe familjeve të tjera 1500 metër katrorë për Karlo Bolinon. Standardet e mia kanë qenë të moralit dhe të ligjit, deklaroi ish-kryeministri.
Berisha akuzoi më tej SPAK-un se nuk kanë gjetur fakt dhe vepër penale gjatë hetimeve për procesin e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Në mungesë të provave sipas tij, e akuzojnë për korrupsion duke e lidhur këtë vepër me pushimet familjare të paguara nga vajza e tij Argita Malltezi dhe dhëndri Jamarbër Malltezi.
“Kanë zgjedhur të shpallin fakt dhe vepër penale, solidaritetin familjar, borxhin që anëtarët e familjes i japin njëri-tjetrit, të deklaruar sipas ligjit në kohën e duhur dhe bamirësinë e tyre për familjen në nevojë. Korrupsioni im pasiv konsiston në pagesën që vajza dhe dhëndri im kanë bërë, 3000 euro për pushime të përbashkëta që kemi kaluar njëherë gjatë këtyre 30 viteve. Kanë paraqitur si të tillë shpenzimet shëndetësore të paguara direkt nga vajza ime për Sali Berishën”, tha kreu i PD.