Të gjithë e dimë që koronavirusi u shpall për herë të parë në Wuhan, qytet emrin e të cilit nuk do të harrojmë për shumë kohë. Dimë gjithashtu që autoritetet kineze kanë deklaruar se tashmë epidemia në atë rajon është kufizuar, me një numër të vdekurish që mbetet në 3182 në atë provincë.
Shumë analistë janë treguar që në fillim disi dyshues për këto shifra, duke njohur edhe transparencën problematike të regjimit kinez.
Por tashmë dyshime konkrete kanë edhe banorët lokalë, që po shpërndajnë në forma të ndryshme, shpesh herë fshehurazi, pamjet e asaj që po ndodh në Wuhan.
Janë të shumta fotot dhe videot e radhëve të gjata të familjarëve të viktimave të viktimave të koronavirusit, që presin në një nga 7 pikat e shpërndarjes së hirit të tyre.
Autoritetet zyrtare kanë deklaruar se çdo pikë do të shpërndajë rreth 500 urna në ditë, çka do të thotë 3500 urna në ditë, që ngjajnë më shumë si kuti. Elementi më shqetësues i kësaj deklarate është fakti që ky operacion parashikohet të përsëritet për të paktën 12 ditë.
Llogaritja makabër është e thjeshtë, shifra kalon 42 mijë urnat. Edhe duke marrë parasysh vdekjet natyrale ose ato të shkaktuara nga sëmundje të tjera, sërish shifrat duket sikur nuk përputhen me ato zyrtare.
Dhe kjo i përket vetëm Wuhanit. “Ndoshta autoritetet po japin në mënyrë graduale të dhënat ekzakte, në mënyre që njerëzit të mësohen me realitetin”, thotë një nga banorët.
Ka edhe një aspekt teknik. Burime pranë autoriteteve kanë rrëfyer se shumë persona kanë vdekur në shtëpi, pa iu referuar autoriteteve shëndetësore. Këtë muaj vetëm në provincën e Hubeit ku Wuhani bën pjesë, janë zhvilluar rreth 28 mijë ceremoni mortore.