Spanja është tashmë vendi i dytë pas Italisë në Europë për infektime nga koronavirusi, duke kaluar për momentin edhe Francën.
Qeveria e Madridit deklaroi sot se të prekurit vetëm nga dita e djeshme janë rritur me 816, për një total të 3102 rastesh, ndërkohë që personat që kanë ndërruar jetë janë tashmë 84.
Kryeministri Pedro Sanchez ka shpallur masa të jashtëzakonshme ekonomike për të mbrojtur ekonominë dhe familjet spanjolle, me një investim prej 18 miliardë euro, rreth 1.5% të produktit të brendshëm bruto spanjoll.
Ndërkohë, koronavirusi ka hyrë edhe në institucionet e politikës. Ministrja për Shanset e Barabarta Irene Montero ka rezultuar pozitive për COVID-19, ashtu si dhe zëvendëskryeministri Pablo Iglesias.
Vetë familja mbretërore po merr masa duke bërë testimin e COVID-19 në mëngjesin e sotëm.