Ekuadori e përjetoi një valë të dhunës të martën, përfshirë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në televizion nga burra të armatosur, gjë që e shtyu presidentin e vendit Daniel Noboa t’i shpallë organizata terroriste 22 grupe kriminelësh.
Policia ekuadoriane i arrestoi 13 burrat e armatosur të cilët e pushtuan kanalin televiziv TC gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, disa oficerë të policisë u morën peng dhe u raportua për disa shpërthime në pjesë të ndryshme të vendit.
Noboa, i cili e mori pushtetin në nëntor duke u zotuar se do ta ndalte dhunën e shkaktuar nga tregtia e drogës, shpalli gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore të hënën, si përgjigje ndaj dhunës në burgje, ku rojet e burgut janë marrë peng nga të burgosurit – dhe pas ikjes së papritur nga burgu të liderit të grupit kriminal Los Choneros, Adolfo Macias, të dielën.
Së paku 10 njerëz janë vrarë prej shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të hënën në Ekuador.
Noboa e pranoi të martën se në Ekuador po zhvillohet “një konflikt i armatosur i brendshëm” dhe i shpalli 22 grupe kriminale si organizata terroriste, përfshirë edhe grupin Los Choneros.
Qeveria tha se dhuna ka shpërthyer si pasojë e planeve të Noboas për ta ndërtuar një burg të ri të sigurisë së lartë dhe për t’i zhvendosur atje liderët e burgosur të grupeve kriminale.
“Ngjarjet e sotme tregojnë se veprimet dhe vendimet e Qeverisë kombëtare janë duke ndikuar rëndë ndaj strukturave kriminale, dhe si përgjigje ata e kanë shkaktuar një valë të dhunës për ta frikësuar popullin”, tha admirali Jaime Vela, i cili e udhëheq komandën e përbashkët të Forcave të Armatosura të Ekuadorit.
Të gjitha grupet e përmendura në dekretin e Noboas tani janë në shënjestër të ushtrisë ekuadoriane, tha Vela.
Zhvendosja nëpër burgje e liderëve të mëdhenj ka nxitur dhunë historikisht. Qindra të burgosur janë vrarë në vitet e fundit.
Disa ekuadorianë kanë filluar të dyshojnë në përpjekjet e Noboas për ta vënë nën kontroll dhunën.
Vdekjet si pasojë e dhunës në gjithë vendin u rritën në 8.008 në vitin 2023, tha Qeveria, gati dyfish më shumë se numri prej mbi 4.500 në vitin 2022.