Aktualitet Shpërthim sapo ndezi makinën, plagoset një person në Mirditë. Dyshimet e policisë

Shpërthim sapo ndezi makinën, plagoset një person në Mirditë. Dyshimet e policisë

Një person ka mbetur i plagosur në fshatin Malaj të Mirditës. Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur sapo Ledovik Syziu ka ndezur makinën ku në pjesën e pasme të mjetit ka patur një shpërthim. Syziu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

“Për pasojë shtetasi Ledovik Syziu, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Mirditës jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor. Nga veprimet e para, policia dyshon se ka shpërthyer lëndë artizanale.

“Nën drejtimin e Prokurorisë Grupi hetimor po vijon intensivisht punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njoftoi policia.

Policia po heton nëse ka patur ndonjë konflikt të kohëve të fundit ndërmjet tij dhe ndonjë banori të zonës.

Në dëshminë e parë të dhënë pasi ka marrë ndihmën mjekësore, Syziu ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për autorët apo shkaqet.

Ndërkohë janë thirrur për t’u marrë në pyetje edhe familjarë të tij me qëllimin për të mësuar për ndonjë incident që mund të ketë patur i plagosuri.