Një grua e moshuar ka humbur jetën pas shpërthimit të një bombole gazi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit në Kuçovë. Si pasojë e shpërthimit një pjesë e banesës është shembur duke i marrë jetën 84-vjeçares Alie Kosova. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, 86-vjeçari Mustafa Kosova ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore.
Mësohet se pas shpërthimit menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe zjarrfikësit. Por nga rrënojat është nxjerrë vetëm 86-vjeçari. Bashkëshortja e tij kishte ndërruar jetë menjëherë si pasojë e dëmtimeve të marra.
“Shërbimet e Njësisë speciale, të zjarrfikëses dhe të Policisë bënë të mundur nxjerrjen e shtetases Alie Kosova, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra kishte ndërruar jetë. Ndërsa shtetasi Mustafa Kosova, ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në spitalin rajonal në Berat, për momentin në gjendje të stabilizuar shëndetësore”, njoftoi policia.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.