Sport Shpërthimi i Contes ndaj drejtuesve, Interi nis të mendojë edhe për Allegrin

Shpërthimi i Contes ndaj drejtuesve, Interi nis të mendojë edhe për Allegrin

Interi e mbylli kampionatin me fitore dhe përfundoi i dyti në renditje, por në fund të ndeshjes së luajtur kundër Atalantës, Antonio Conte shpërtheu ndaj klubit. Në mikrofonat e “DAZN”, trajneri i zikaltërve nxori në pah të gjitha dyshimet e tij për të ardhmen.

“Fillimi i një cikli tek Interi? Shikoni, ishte një vit shumë i vështirë për mua. Edhe personalisht. Do të bëjmë të gjitha vlerësimet për vitin e ardhshëm. Unë e di çfarë kam bërë për të marrë Lukakun, më besoni për këto që po them. Nuk ishte një shëtitje. Tani do të japim më të mirën për Europa League, atëherë do të bëjmë vlerësimet në përgjithësi, jo vetëm ato teknike.”

I drejtpërdrejtë Conte me kritikat ndaj drejtuesve, për disa situata të pakëndshme të krijuara gjatë sezonit.

“Puna e lojtarëve dhe imja nuk është vlerësuar. Kam parë sulme ndaj meje dhe Interit dhe nuk jam mbrojtur nga klubi. E kuptoj gjithashtu se kur je i dobët është e vështirë të mbrosh ekipin dhe trajnerin. Këto 82 pikë i meritojmë ne, unë dhe futbollistët.”

Tekniku nga Salento hyn më në detaje në kritikat e tij ndaj drejtuesve më të lartë.

“Kur dëshiron të zhdukësh hendekun që ke me Juventusin duhet të jesh i fortë në fushë, por mbi të gjitha jashtë saj. Nuk ka nevojë të flasësh me presidentin. Presidenti është në Kinë. Kur njerëzit marrin një përgjegjësi, duhet të përmbushin detyrën dhe kjo nuk ka ndodhur tek Interi. Kur unë dhe lojtarët jemi sulmuar, kemi pasur zero mbrojtje nga klubi.”

“Asgjë nuk ka ndryshuar”

Conte i vë në dukje të gjitha problemet që ai pati në sezonin e tij të parë tek Interi dhe i dërgon një mesazh të qartë kupolës drejtuese.

“Më treguan një intervistë të Spallettit të vitit 2017. Ai fliste për gjëra shumë serioze. Jemi në vitin 2020, është akoma e njëjta situatë. Po rritemi në fushë e duhet të ndodhë e njëjta jashtë saj. Duhet të shohim nëse pronari e kupton këtë. Unë kam ide të qarta dhe kam një vizion, e kuptoj rrugën që duhet të bëjmë. Nuk e kam fjalën për merkaton, nuk hyn farë në këto që po them. Nuk më pëlqeu asgjë nga ajo që ndodhi në këtë vit. Mund të bëjë rrufepritësen në sezonin e parë, por në të dytin … Unë tregoj fytyrën time para të gjithëve. Deri në një pikë caktuar, askush nuk është budalla.”

Shkarkimi i vështirë

Një shkarkim i Contes duket i vështirë, sepse ai fiton 11 milion euro në sezon, plasu është ai “top player-i” internist që bind lojtarët e mëdhenj të veshin ngjyrat zikakltër (si për shembull Lukaku dhe Hakimi). Por nëse do të ishte vetë ish-trajneri i Italisë që do të vendoste të largohej? Ai e ka bërë edhe tek Juvja pasi merkatoja nuk i pëlqente. Gjithçka është e mundur për momentin. Për këtë arsye Interi ka nisur të shikojë vërdallë dhe ndoshta do ti drejtohet Max Allegrit, që është i lirë dhe do të ishte zgjedhja e parë e Marotta-s nëse Conte do të vendosë të largohej.