Aktualitet Shpërthimi i tritolit në Shijak, PD: Sulm ndaj drejtuesit të partisë në...

Shpërthimi i tritolit në Shijak, PD: Sulm ndaj drejtuesit të partisë në këtë qytet

Partia Demokratike ka reaguar pas shpërthimit të tritolit në një banesë në Shijak. PD në një reagim për mediat bën me dije se shpërthimi ka ndodhur në banesën e kreut të partisë në këtë qytet, Ilgner Vora.

Më tej në reagim theksohet se aktin e konsiderojnë si kriminal dhe kërkojnë zbardhjen pa vonesa të kësaj ngjarje dhe vënien përpara drejtësisë autorët.

“Partia Demokratike ka ndjekur me shqetësim informacionin për sulmin me lëndë plasëse në banesën e drejtuesit të Partisë Demokratike në qytetin e Shijakut. Duke i shprehur të gjithë solidaritetin familjes Vora, ne e konsideruar këtë akt kriminal të papranueshëm, të rëndë dhe kërkojmë zbardhjen pa vonesa të kësaj ngjarje dhe vënien menjëherë përpara përgjegjësisë të autorëve.

Ngjarje të rënda si kjo dhe aktet kriminale të kohëve të fundit, janë thirrje ulëritëse për organet ligjzbatuese për të vepruar me shpejtësi, profesionalizëm dhe paanësi për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe jetës e pronës së qytetarëve“, është ky reagimi i PD.

Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale. Mëngjesin e sotëm në vendin e ngjarjes kanë qenë sërish hetuesit të cilët kanë marrë në pyetje familjarët.

Ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte të hapura dhe nuk kanë dijeni për autorët. Policia njoftoi se janë shoqëruar disa persona, por nuk ka ende ndonjë të ndaluar.