Nivelet e rrezatimeve radioaktive pranë zonës ku ndodhi shpërthimi vdekjeprurës në veriun e largët të Rusisë, ishin 16 herë më të larta sesa norma e lejuar.
Njoftimi vjen nga shërbimi meteorologjik kombëtar rus, që mati nivelet e rrezatimit në qytetin port të Severodvinsk pas shpërthimit. Kjo është hera e parë që Moska pranon rritje të radioaktivitetit në zonë pas shpërthimit që ndodhi në një kompleks ushtarakë në Detin e Bardhë, ditën e enjte.
Janë 5 shkencëtarët që mbetën të vrarë dhe tre të tjerë u plagosën në aksidentin që sipas Moskës ndodhi ndërsa po testohej një pajise e furnizuar me energji bërthamore. Nivelet e rrezatimit ishin më të larta në 6 prej 8 stacioneve ku u bënë matjet, por ato u rikthyen në normalitet pas dy ore e gjysmë.
“Vlerat e deklaruara nuk përbëjnë rrezik për shëndetin duke ju referuar normave të organizatës botërore të shëndetësisë”, deklaroi Shërbimi Meteorologjik, por situata mbetet e paqartë.
Organizata Greenpeace pretendon se rrezatimi në qytetin port ishin 20 herë më të larta, ndërsa raportimet për evakuime të mundshme kanë qenë kontradiktore. Fillimisht disa banorë të zonës u thanë mediave së u ishte kërkuar të largoheshin nga banesat, por zyrtarët rus i përgënjeshtruan pretendimet. Shpërthimi shkaktoi panik mes vendasve, me disa që nxituan në farmaci për të blerë jod për kufizimin e efekteve të rrezatimit.
Mediat ndërkombëtare u pushtuan nga titujt që e krahasonin incidentin me një version të kufizuar të Chernobilit.