Bota Shpërthimi në Stamboll, Turqia vë në diskutim aleancën me SHBA, deklarata e...

Shpërthimi në Stamboll, Turqia vë në diskutim aleancën me SHBA, deklarata e fortë e ministrit

Momenti i arrestimit të atentatores së Stambollit

Qeveria e Turqisë nuk ka pranuar ngushëllimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vdekjen e gjashtë personave në shpërthimin e fuqishëm në Stamboll, ngjarje që ndodhi një ditë më parë.

“Ne nuk e pranojmë mesazhin e ngushëllimit të ambasadës së SHBA. Ne e refuzojmë atë”, tha Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu në një intervistë televizive.

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se bomba ishte nisur nga Kobani e kishte kaluar në Afrin, një tjetër qytet në veri të Sirisë. Ankaraja thotë se militantët e grupit YPG, të cilët kanë marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë luftës civile në Siri, janë krahu i armatosur i PKK, partisë kurde në Turqi, të shpallur si organizatë terroriste nga autoritetet turke, por edhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

“I refuzojmë ngushëllimet e ambasadës amerikane, nuk i pranojmë. Aleanca jonë me një shtet që dërgon para nga Senati i vet për këto grupe, duke ushqyer zonat e terrorit në Kobani, që synojnë të prishin paqen e Turqisë, është në një situatë të diskutueshme. Kjo shihet qartë dhe pastër”, tha ministri i brendshëm turk, Suleyman Soylu.

6 persona humbën jetën dhe mbi 80 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi që ndodhi pranë sheshit Taksim në Stamboll.

Në prangat e policisë ka rënë një grua, Ahlam Albashir.

Me origjinë nga Siria, Albashir tregoi se ka hyrë në mënyrë ilegale në Turqi, ndërsa është trajnuar si oficere speciale e inteligjencës nga PKK, që konsiderohet si organizatë terroriste në shtetin turk.

PKK ka qenë nismëtare e kryengritjeve separatiste ndaj shtetit turk që prej vitit 1984. Përgjatë përballjeve të shpeshta, mbi 40 mijë vetë kanë vdekur.

Stambolli ka qenë shpesh shënjestër e militantëve kurdë, islamikë apo të ekstremit të majtë, më famëkeqi ai i dhjetorit të vitit 2016, kur 38 vetë vdiqën dhe 155 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një stadium futbolli.

Momenti i arrestimit të atentatores së Stambollit