Personi që drejtoi një Tesla Cybertruck, e cila shpërtheu jashtë hotelit Trump në Las Vegas, ishte një ushtar i forcave speciale amerikane dhe qëlloi veten para shpërthimit, sipas zyrtarëve amerikanë.
Policia e Las Vegas ka identifikuar Matthew Alan Livelsberger, 37 vjeç, nga Kolorado Springs si shoferin e automjetit, të cilin e mori me qira më shumë se 800 milje larg dhe e çoi në hotelin Trump në Nevada.
Shkaku i vdekjes së Livelsberger ishte vetëvrasja nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri, sipas mjekëve të kontesë Clark.
Shtatë persona u plagosën kur automjeti i mbushur me bombola gazi, fishekzjarre të djegura dhe lëndë djegëse.
Shpërthimi ndodhi disa orë pas ngjarjes së Nju Orlinsit në ditën e Vitit të Ri, që shkaktoi 15 viktima.
Livelsberger udhëtoi me “Cybertruck” në qytet të mërkurën në mëngjes, më pak se dy orë para shpërthimit.
I parkuar para hotelit pranë një hyrje xhami, automjeti filloi të nxirrte tym nga brenda dhe më pas shpërtheu. Autoritetet thanë se ende nuk kanë përcaktuar ndonjë motiv pas incidentit.
Hetuesit gjetën një letërnjoftim ushtarak, një pasaportë, dy pistoleta gjysmë automatike, fishekzjarre, një iPhone, një orë inteligjente dhe disa karta krediti në emrin e Livelsberger.
Shoferi u identifikua nga hetuesit nëpërmjet dy tatuazheve.
Policia kishte gjurmuar lëvizjet e tij duke përdorur një numër fotografish gjatë udhëtimit nga Denveri, Kolorado në Nevada. Shoferi kishte ndaluar të karikonte Teslën dhe ishte i vetmi që u identifikua nga autoritetet duke drejtuar një Cybertruck.
Matthew Alan Livelsberger shërbente në Beretat e Gjelbërta, forcat elitë të specializuara për të luftuar terrorizmin jashtë vendit dhe për të trajnuar forcat partnere, tha në një deklaratë ushtria amerikane. Ai kishte qenë pjesë e ushtrisë amerikane që nga viti 2006, me një karrierë të gjatë, përfshirë dy misione në Afganistan dhe shërbime në Ukrainë, Taxhikistan, Gjeorgji dhe Kongo.